
Luftëtari i UÇK-së, Agim Pllashniku, vendos flamurin e UÇK-së te “Rrethi i Ismetit”
Agim Pllashniku, luftëtar i UÇK-së, së bashku me një grup shokësh veteranë të UÇK-së kanë ndërmarrë një iniciativë për të vendosur flamurin e UÇK-së te “Rrethi i Ismetit” në Prishtinë.
Ai ka treguar se me ketë veprim po nderojnë simbolin e shenjtë të luftës për liri – flamurin e UÇK-së, duke kujtuar sakrificën e mijëra luftëtarëve që dhanë gjithçka për çlirimin e Kosovës.
Ai thotë se propozojnë që ky rreth të emërtohet tash e tutje “Rrethi i Flamurit të UÇK-së”.
“Ky propozim buron nga dëshira për të nderuar me dinjitet simbolin e shenjtë të luftës për liri – flamurin e UÇK-së dhe për të kujtuar sakrificën e mijëra luftëtarëve që dhanë gjithçka për çlirimin e Kosovës. Vendndodhja e këtij rrethi pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ambasadës së ShBA-së, e bën edhe më domethënës këtë iniciativë, pasi përfaqëson lidhjen mes sakrificës së djeshme dhe institucioneve që sot gëzojnë si rezultat i asaj lufte”, ka thënë Pllashniku për gazetën “Epoka e re”.
Ai ka thënë se “Rrethi i Flamurit të UÇK-së” është një emër nderimi, kujtese dhe krenarie. “Një mënyrë për të ruajtur dhe forcuar identitetin tonë kombëtar në zemrën e kryeqytetit”, ka thënë Pllashniku.
Agim Pllashniku ka treguar se këtë flamur e ka porositur që të punohet në Gjirokastër.
Ai ka falënderuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për të cilin ka thënë se gjithmonë i ka përkrahur iniciativat e veteranëve të UÇK-së, edhe për këtë rastin e fundit.
Agim Pllashniku pos këtij aksioni, ai ka vendosur flamurin e UÇK-së edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Ky ish-luftëtar i UÇK-së këto ditë në derën e Kuvendit të Kosovës ka vendosur edhe fotografinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.