
Presidentja Osmani: Një tjetër medalje botërore për Kosovën
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka uruar xhudisten Laura Fazliu për suksesin e arritur në Kampionatin Botëror që po mbahet në Budapest.
Xhudistja jonë në këtë event të madh të xhudos, fitojë medaljen e bronztë duke mundur në finale e repesazhit brazilianen Nauana Silva.
E para e vendit tonë përmes rrjeteve social, ka thënë se Laura ka shkëlqyer në Kampionatin Botëror për Seniorë në Budapest.
Sipas presidentes Osmani, Laura Faziu me përkushtim dhe talent të jashtëzakonshëm vazhdon ta mbajë flamurin e Kosovës lart në arenat më të mëdha ndërkombëtare.
“Laura Fazliu ka shkëlqyer në Kampionatin Botëror për Seniorë në Budapest, duke fituar medaljen e bronztë në një garë të jashtëzakonshme!
Me përkushtim dhe talent të jashtëzakonshëm, Laura ka treguar forcën e sportit tonë dhe shpirtin e vajzave tona që nuk ndalen kurrë. Ajo vazhdon ta mbajë flamurin e Kosovës lart në arenat më të mëdha ndërkombëtare.
Një falënderim i veçantë për trajnerët e saj, legjendat Majlinda Kelmendi dhe Driton Kuka, për punën e palodhshme dhe përkushtimin ndaj brezit të ri të kampionëve.
Urime Laura – krenaria jonë!”, ka shkruar presidentja Osmani.