
Izraeli vazhdon sulmet në Iran, Teherani thotë se do të përgjigjet
Ndërsa krerët iranianë po zotohen se do të përgjigjen për sulmet e pa precedent të Izraelit ndaj caqeve bërthamore dhe ushtarake, nga Irani vazhdojnë të vijnë njoftime për sulme të reja të aviacionit izraelit.
Raporte të ndryshme nga Irani thonë se Forcat Ajrore të Izraelit po vazhdojnë me sulme kundër caqeve brenda territorit iranian, të cilat duket se po zhvillohen në shumë zona të ndryshme të vendit. Kjo valë sulmesh vjen pas operacioneve të natës së kaluar, gjatë të cilave Izraeli kreu një sulm masiv kundër caqeve ushtarake dhe bërthamore të Iranit. Edhe pse shumë detaje rreth operacioneve ende nuk dihen, është bërë e ditur se sulmet filluan me goditje ndaj sistemeve të mbrojtjes ajrore iraniane, si dhe ndaj pikave të lansimit të raketave që mund të përdoren për të sulmuar Izraelin.
Përveç goditjeve ndaj instalacioneve ushtarake dhe bërthamore, gjatë valës së parë, Izraeli gjithashtu goditi një numër udhëheqësish ushtarakë, shkencëtarë dhe persona përgjegjës për programin bërthamor të Iranit, me qëllim që të ndalojë përparimin e këtij programi. Tel Avivi ka thënë se ishte i detyruar të sulmonte Iranin, pasi regjimi në Teheran nuk i ka përmbushur detyrimet ndërkombëtare lidhur me programin e tij bërthamor dhe ishte afër ndërtimit të një arme bërthamore, akuza që Teherani i mohon me vendosmëri.
Njëkohësisht, udhëheqësi iranian, Ayatollah Ali Khamenei, dhe krerë të tjerë të vendit janë zotuar se Irani do të kundërpërgjigjet ndaj këtyre sulmeve dhe se Izraeli do të përballet me një “dënim të ashpër”. Megjithatë, deri tani, Irani ka tentuar të kundërpërgjigjet me një sulm prej rreth 100 dronësh të lëshuar drejt Izraelit, të cilët u neutralizuan të gjithë pa arritur në cak.
Sulmet izraelite kanë shkaktuar një valë reagimesh në arenën ndërkombëtare, si dhe thirrje për takime emergjente të Organizatës Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Në këtë situatë, presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje Iranit të “pranojë marrëveshjen para se të mos mbetet asgjë”. Ndërkaq, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se operacionet izraelite kundër Iranit do të vazhdojnë përderisa të jetë e nevojshme. /rtk/