
SHBA distancohet nga sulmet izraelite në Iran, ndërkombëtarët dënojnë aktin: Të ndalet përshkallëzimi i konfliktit në rajon
SHBA është distancuar nga sulmet izraelite në Iran duke thënë se nuk është e përfshirë në bombardimin e lokacioneve bërthamore iraniane, një përshkallëzim që kërcënon ta çojë rajonin më thellë në konflikt.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se Izraeli kishte ndërmarrë “veprime të njëanshme”, ndërsa paralajmëroi Iranin të mos hakmerrej kundër SHBA-së.
“Ne nuk jemi të përfshirë në sulme kundër Iranit dhe përparësia jonë kryesore është mbrojtja e forcave amerikane në rajon. Le të jem i qartë: Irani nuk duhet të synojë interesat ose personelin e SHBA-së. Presidenti Trump dhe administrata kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur forcat tona dhe për të mbetur në kontakt të ngushtë me partnerët tanë rajonalë”, tha Rubio.
Ndërsa SHBA është distancuar nga operacioni izraelit, Irani e akuzon atë si “bashkëpunëtor” në një sulm që ka “vrarë fëmijë”. Sulmet izraelite, të quajtura operacioni “Luani në Ngritje”, shënjestruan programin bërthamor të Iranit dhe objektiva ushtarake.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se sulmi ishte i nevojshëm për shkak të lëvizjes së vazhdueshme të Iranit për të “armatosur” uraniumin e pasuruar dhe ishte kritik për “vetë mbijetesën e Izraelit”.
Sulmi Izraelit në Iran është kritikuar edhe nga shtetet e tjera, të cilët kanë shprehur shqetësim se ky veprim do të rrisë edhe më shumë konfliktet në rajon.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite dënoi me forcë sulmin duke thënë se “agresioni flagrant izraelit” minon “sovranitetin dhe sigurinë e Iranit dhe përbën një shkelje të qartë të ligjeve dhe normave ndërkombëtare”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, “dënon çdo përshkallëzim ushtarak në Lindjen e Mesme”, ndërsa u bëri thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje.
Ambasada e Kinës në Iran e quajti situatën “të rëndë dhe komplekse”, duke u bërë thirrje qytetarëve kinezë në vend që të monitorojnë nga afër zhvillimet dhe të rrisin masat e tyre të sigurisë, duke përfshirë shmangien e zonave të ndjeshme ose të mbushura me njerëz.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë, Randhir Jaisëal, tha se vendi po “monitoronte nga afër situatën në zhvillim, duke përfshirë raportet që lidhen me sulmet ndaj centraleve bërthamore”, dhe u bëri thirrje të dyja palëve të shmangin përshkallëzimin.
Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Ëong, ishte “e alarmuar nga përshkallëzimi midis Izraelit dhe Iranit”. Ajo u bëri thirrje të gjitha palëve të japin përparësi dialogut dhe diplomacisë, duke thënë: “Kjo rrezikon të destabilizojë më tej një rajon që është tashmë i paqëndrueshëm”.
Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, i quajti sulmet “një zhvillim vërtet të padëshiruar në Lindjen e Mesme”, duke paralajmëruar se “rreziku i llogaritjeve të gabuara është i lartë”.
/rtsh.al/