Hasani për ngërçin politik: LV-ja e ka fajin e vetëm, votimi i fshehtë është në kundërshtim me Kushtetutën

Hasani për ngërçin politik: LV-ja e ka fajin e vetëm, votimi i fshehtë është në kundërshtim me Kushtetutën

Kur po mbushen katër muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Kosova ende nuk ka konstituuar institucionet e saj.

Pasi deputetët janë betuar, një nga dy pikat e vetme të kaluara nga rendi i ditës, ngërçi ka mbetur tek zgjedhja e kryeparlamentarit të ri. Për ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, zgjidhja është e thjeshtë, të veprohet si në të kaluarën.

“Duhet të veprohet siç është vepruar në të kaluarën. Të kërkohet koalicion dhe kompromis në mes të partive politike”, ka thënë për “Tvklan.al”.

Sipas Hasanit, partia fituese e zgjedhjeve, pra Lëvizja Vetëvendosje ka detyrën kryesore dhe fajin e vetëm për këtë ngërç. Kur është bërë e ditur që partia me më shumë deputetë nuk mund ta formojë vetë ekzekutivin, sipas Hasanit, ajo duhet të ndërtojë aleanca.

“Partia fituese relative e zgjedhjeve, pra Lëvizja Vetëvendosje, ka detyrën kryesore dhe fajin e vetëm për këtë stagnim. Ajo duhet të prijë në kërkim të aleancave politike për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë. Më lejoni të them që asnjëherë, në asnjë vend evropian, nuk ka ndodhur ngërç ose problem rreth konstituimit të organit legjislativ dhe përfaqësues. Problemet dhe ngërçet kanë lindur lidhur me formimin e ekzekutivit. Kjo sepse procesi i konstituimit është solemn dhe shpreh dinjitetin e deputetit dhe të organit legjislativ dhe përfaqësues. Kur partia me më shumë deputetë i prin procesit politik dhe kërkon koalicion, atëherë, nëse nuk mund ta formojë vetë ekzekutivin, duhet të ndërtojë aleanca”,  ka thënë Hasani.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri të votohet në mënyrë të fshehtë. Por, partitë e tjera kanë refuzuar të miratojnë ngritjen e një komisioni të tillë. Votimin e fshehtë e kanë konsideruar si shkelje ligjore. Madje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka dërguar çështjen për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

Share This