Laçi, pas fitores me Bullgarinë: Gjithmonë gati
Një mundësi e shfrytëzuar në maksimum. Qazim Laçi e nisi nga minuta e parë miqësoren me Bullgarinë dhe arriti të japë më të mirën duke zhbllokuar sfidën në minutën e 41-të.
Në përfundim të ndeshjes, autori i golit të parë në miqësoren e fituar 2-0, ka komentuar suksesin më të fundit të arritur në “Air Albania”.
“Kur thërret kombëtarja, jam gjithmonë gati. Jam i lumtur për golin, por përpara kemi ndeshje të rëndësishme, duhet të jemi gati. Një miqësore, por për ne ishte si një ndeshje zyrtare. Roli im në fushë? Jam lojtar që kaloj nga një zonë në tjetrën, ndihmoj dhe në mbrojtje, varet se çfarë më kërkon trajneri”.
“Si çdo trajner, Silvinjo më kërkon që të jem i përqëndruar në fushën e lojës në çdo ndeshje dhe të jap gjithmonë maksimumin. Të gjithë jemi me këmbë në tokë, e treguam edhe sot. Pavarësisht se ishte një miqësore, në mendjen tonë në fakt nuk ishte kështu”.
“Po mundohemi të japim maksimumin, të jemi gati për ndeshjet e radhës sepse asgjë nuk ka mbaruar. Na duhet një pikë, ndërsa objektivi i dytë është vendi i parë në grup”, ka deklaruar Laçi.