Sylvinho: Kjo skuadër jep gjithçka në fushë, nuk ka rëndësi a është ndeshje zyrtare apo miqësore
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka shënuar fitore në ndeshjen miqësore kundër Bullgarisë që drejtohet nga trajneri serb, Mladen Krstajiq.
Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Sylvinho triumfuan 2:0 kundër Bullgarisë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Përzgjedhësi i “shqiponjave”, Sylvinho pas ndeshjes u shpreh i lumtur me futbollistët e Shqipërisë.
“Mendoj që është një skuadër që jep gjithçka në fushë, nuk ka rëndësi është ndeshje zyrtare apo miqësore, ne japim gjithmonë maksimumin. Për mua të gjithë janë shumë të mirë. Të 23 lojtarët. Do të thotë shumë që Shqipëria ka bërë 5 fitore. Kjo është meritë e të gjithë lojtarëve që kanë dhënë maksimumin në fushën e lojës. Nuk ka mbaruar asgjë, kemi bërë diçka fantastike, është meritë e tyre”.
“Daku futet dhe shënon, gjithashtu dhe Muçi me Laçin. Kjo është shenjë që ne kemi lojtarë shumë të fortë si në formacion dhe në stol. Të gjithë lojtarët janë nivel i njëjtë, si në stol ashtu dhe në formacion. Ne kemi shumë lojtarë që bëjnë tranzicione. Unë e kuptoj që ne duhet të bëjmë më shumë zotërim topi, por kemi lojtarë me karakteristika shumë të forta në fazën e tranzicionit”.
“Një ëndërr shumë e bukur. Jam shumë i kënaqur, për njerëzit, për tifozët, na mbështesin. Kjo na ka ndihmuar shumë. Ne jemi shumë të lumtur, edhe për ata tifozë. Sigurisht që akoma s’ka mbaruar asgjë dhe duhet të jemi me këmbë në tokë”, u shpreh Sylvinho pas ndeshjes.
Ky takim për Shqipërinë erdhi pak ditë pas fitores së madhe 3:0 kundër Çekisë në kualifikime për Kampionatin Evropian, pikërisht në këtë impiant.