
Tare pas zyrtarizohet drejtor sportiv i Milanit: Do t’ia kushtoj gjithë përvojën time këtij klubi të madh
Milan ka bërë zyrtare emërimin e Igli Tares si Drejtor Sportiv i ekipit të parë, ndërsa ai ka premtuar se gjithë përvojën e tij do t`ia kushtoj synimit për ta rikthyer skuadrën në krye të futbollit italian dhe evropian.
Skuadra nga qyteti i Milanos e ka konfirmuar emërimin e shqiptarit të hënën, duke e sjellë edhe një biografi profesionale të tij.
“I lindur në Vlorë të Shqipërisë më 25 korrik 1973, Tare gëzon një karrierë të gjatë në futbollin italian, fillimisht si futbollist i Brescia, Bologna dhe Lazio, e më pas si drejtues i lartë. Ai ka mbajtur postin e drejtorit sportiv te Lazio për më shumë se pesëmbëdhjetë vite, periudhë gjatë së cilës kontribuoi në fitimin e tri Coppa Italia dhe tri Superkupave të Italisë”, ka shkruar klubi nga qyteti i modës.
Drejtori Ekzekutiv i Milanit, Giorgio Furlani, e ka quajtur Taren personin e duhur për pozitën.
“Jemi të lumtur ta mirëpresim Igli Tarën në familjen Rossoneri. Ai është personi i duhur për të nisur këtë fazë të re për klubin: kompetenca, vendosmëria dhe vlerat e forta, të kombinuara me një njohje të thellë të futbollit italian dhe një vizion ndërkombëtar, e bëjnë atë profilin ideal për të udhëhequr kapitullin e ardhshëm të klubit përmes zhvillimit të një projekti ambicioz sportiv”, ka thënë ai.
E vetë Tare, në prononcimin e tij të parë si drejtues i Milan, është shprehur se klubi e njeh vendosmërinë dhe dëshirëne tij për të pasur sukses.
“Të bëhesh pjesë e një klubi si AC Milan është një burim krenarie dhe përgjegjësie të madhe. E falënderoj klubin për besimin që më ka dhënë me këtë rol. Klubi e njeh vendosmërinë time dhe dëshirën për të pasur sukses: do t’ia kushtoj të gjithë përvojën time këtij klubi të madh, i cili është i vendosur të rikthehet në krye të futbollit italian dhe evropian”, ka thënë ai.