
Trump e quajti Putinin “të çmendur”, Kremlini: Të gjithë janë pak emocionalë në këtë moment
Moska i ka cilësuar përgjigje “emocionale” akuzat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili quajti homologun rus Vladimir Putin “të çmendur” pas kryerjes së sulmeve të fundit ndaj Ukrainës.
“Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie të mirë me Putinin, por diçka i ka ndodhur. Ai është çmendur plotësisht”, shkroi më herët Trump.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, falënderoi Trump për përpjekjet në drejtim të negociatave për armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës, duke e cilësuar situatën si një moment të mbingarkuar emocionalisht për të gjithë.
“Sigurisht, fillimi i procesit të negociatave, për të cilin pala amerikane bëri shumë përpjekje, është një arritje shumë e rëndësishme dhe ne jemi vërtet mirënjohës ndaj amerikanëve dhe personalisht ndaj Presidentit Trump për ndihmën e tyre në organizimin dhe nisjen e këtij procesi negociatash. Është një arritje shumë e rëndësishme. Sigurisht, në të njëjtën kohë ky është një moment shumë i rëndësishëm që lidhet me një mbingarkesë emocionale të të gjithë të përfshirëve dhe reagime emocionale. Ne i monitorojmë me kujdes të gjitha reagimet.
Megjithatë, Presidenti Putin merr ato vendime që janë të nevojshme për sigurinë e vendit tonë. Të gjithë ishim dëshmitarë se si regjimi i Kievit kërcënoi udhëheqësit e huaj përpara se ata të vinin në Moskë për të përkujtuar Ditën e Fitores. Të gjithë i dëgjuan këto kërcënime nga regjimi i Kievit. Dhe shumë udhëheqës që ishin këtu dëshmuan përpjekjet e regjimit të Kievit për të goditur territorin rus me dronë, qytete të mëdha, madje edhe kryeqytetin, në prag të një dite kaq të rëndësishme. Këto përpjekje vazhdojnë. Ne jemi të detyruar të marrim masa dhe Presidenti Putin bën atë që është e nevojshme për të siguruar sigurinë për Rusinë”, tha Peskov.
Peskov shtoi se sulmet e fundit ruse ndaj Ukrainës ishin “sulme kundërpërgjigjeje” ndaj veprimeve të ushtrisë ukrainase që, sipas tij, kishin goditur infrastrukturën ruse, përfshirë edhe përpjekje për të goditur Moskën.
“Kemi parë se si ukrainasit kanë goditur infrastrukturën tonë sociale, infrastrukturën paqësore. Ky është një sulm kundërpërgjigjeje. Është një sulm kundër objekteve ushtarake, objektivave ushtarake”, tha ai.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi më shumë presion ndaj Rusisë dhe më pak përpjekje për dialog.
“Vetëm një ndjenjë e pandëshkueshmërisë totale mund ta lejojë Rusinë të kryejë sulme të tilla dhe të vazhdojë të rrisë shkallën e tyre. Duke vepruar kështu, Putini tregon se sa shumë e përçmon botën që shpenzon më shumë përpjekje për ‘dialog’ me të sesa për presion të vërtetë”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale, duke kërkuar më shumë sanksione dhe kontrolle ndaj Kremlinit.
Trump, përveç kritikës ndaj Putinit, ka sulmuar edhe Zelensky-n, duke thënë se “nuk po i bën asnjë nder vendit të tij me mënyrën si flet.”
Në sulmet e mbrëmshme, Rusia lëshoi 355 dronë dhe nëntë raketa drejt Ukrainës, një numër rekord i dronëve të lëshuar gjatë muajve të fundit. /rtsh/