Kombëtarja zhvillon stërvitjen e fundit, gati për duelin me Bullgarinë
Përfaqësuesja kuqezi u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen miqësore me Bullgarinë, që do të luhet të martën në “Air Albania” duke nisur nga ora 18:00.
Pas konferencës zyrtare për mediat, skuadra ka dalë në fushën e stadiumit dhe ka zhvilluar fillimisht përgatitje atletike pa topin dhe më pas ka punuar më shumë me topin, teksa trajneri Sylvinho dhe stafi i tij ka provuar vendosje të ndryshme në fushë dhe ka provuar situata loje apo goditje në portë.
I gjithë grupi është stërvitur normalisht dhe nuk ka probleme fizike për asnjë nga lojtarët, që nuk kanë marrë shumë ngarkesë fizike.
Kjo është ndeshja e dytë e Kombëtares kuqezi për muajin tetor, pas sfidës zyrtare të kualifikueseve të Euro 2024 ndaj Çekisë, që u luajt më 12 tetor po në “Air Albania” dhe përfundoi me fitoren 3-0 të Shqipërisë.