Prishtina ende pa zgjidhje për grumbullimin e mbeturinave

Prishtina ende pa zgjidhje për grumbullimin e mbeturinave

Janë bërë një javë që kur kompania “Pastrimi” ka ndërprerë shërbimin për grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë.

Si pasojë kontejnerët janë stërmbushur e qytetarët ankohen për kundërmim. Nga Kuvendi i Prishtinës kanë propozuar një komision aksionarësh për mbikëqyrjen e punës së kompanisë “Pastrimi”.

Situata me mbeturina në Prishtinë vetëm sa po rëndohet. Kontejnerët e stërmbushur kanë zënë trotuaret, për çka kalimtarët po detyrohen të ecin në mes të rrugës.

Kjo gjendje bëhet edhe më alarmante, kur pranë tyre kalojnë qytetarët që ankohen për kundërmim, derisa rrezikohet edhe shëndeti, sidomos i fëmijëve të vegjël.

“Po bëhen 2-3 javë, mbeturinat mbushen plot këndej. S’mundet njeriu të kalojë prej mbeturinave. Mos të flasim për papastërti dhe ka dukje të keqe, shpresojmë se shumë shpejt të bohet një zgjidhje e mirë”, thonë qytetarët.

Si pasojë e situatës së krijuar nga mosgrumbullimi i mbeturinave nga kompania “Pastrimi”, asamblisti i Aleancës Kosova e Re në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Mehmeti, ka dalë me një propozim.

“Kërkoj urgjentisht që të formohet, të zgjidhet në realitet komisioni i aksionarëve të ndërmarrjeve lokale e cila do ta mbikëqyr punën e bordit dhe ndërmarrjes komunale ‘Pastrimi’. Do të thotë kuvendi komunal që disa muaj dhe vite nuk e ka funksional komisionin i cili është mbikëqyrës i rrethanave të krijuara në ndërmarrje”, tha Mehmeti.

Madje, për këtë Mehmeti filloi edhe mbledhjen e nënshkrimeve të asamblistëve komunalë që të mblidhen në një seancë të jashtëzakonshme të kuvendit të Prishtinës për ta miratuar këtë nismë si dhe të diskutohet për situatën alarmante në të cilën ndodhet kryeqyteti.

RTK ka pyetur edhe kryeshefin ekzekutiv të “Pastrimit”, Petrit Reçica, për këtë propozim, por i cili nuk është përgjigjur.

Nga 14 maji, kompania “Pastrimi” ka ndërprerë shërbimin për grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet, me arsyetimin se Komuna e Prishtinës nuk po ua paguan borxhin që ka ndaj kompanisë. /RTK/

Share This