
“Netët e Klipit Shqiptar”, Edicioni 22 rikthehet sonte në Tiranë pas 7 vitesh
Tirana mirëpret edicionin 22 të “Netët e Klipit Shqiptar”, një nga eventet më të rëndësishme të muzikës dhe videoklipit në hapësirën shqiptare.
Pas 7 vitesh në Ulqin, spektakli kthehet në kryeqytet dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH 1 HD.
Regjisori Petri Bozo ndau emocionet dhe detajet mbi përgatitjet finale, duke premtuar një mbrëmje plot surpriza artistike. Ai theksoi se edicioni i këtij viti do të sjellë performanca speciale, emra të njohur të muzikës dhe një nivel të ri të prodhimit skenik.
“Ajo që do të veçoja këtë vit është që festivali ka një ‘background’ dhe arkiv të jashtëzakonshëm të këtyre 22 viteve. Do të jenë të ekspozuar të gjithë fituesit me lokacionin përkatës, që nga viti 2002 deri në ditët e sotme. Është një festival që i dedikohet kryesisht pjesës video të prodhuesve, pra ne shohim këngëtarin, por ata që e kanë bërë të famshëm atë janë gjithë pjesa jonë: regjisorë, montazhierë, operatorë, grafistë, stilistë e me radhë. Do të jetë një ‘glamour’ në pikëpamjen e vet,” u shpreh z. Bozo.
Gjatë mbrëmjes do të ndahen edhe çmimet për videoklipet më të mira të vitit në disa kategori, si “Klipi më i mirë”, “Regjia më e mirë”, “Artistja/Artisti i Vitit” dhe çmime të veçanta që vlerësojnë punën kreative të artistëve shqiptarë në të gjitha trevat.