
Izraeli nis operacionin e gjerë në Rripin e Gazës, Witkoff u kërkon palëve armëpushimin dymujor
Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara punojnë për arritjen e armëpushimit dhe palët në konflikt, Izraeli dhe Hamasi, janë në negociata për lirimin e pengjeve izraelite, Tel-Avivi njoftoi të dielën nisjen e një operacioni të gjerë ushtarak nga toka.
Operacioni “Karrocat e Gideonit” do të shtrihet në Rripin e Gazës nga jugu në veri të rajonit palestinez, ku autoritetet raportuan më shumë se 100 të vrarë nga sulmet izraelite brenda 24 orëve.
“Në Rripin e Gazës po operojnë pesë divizione tani. Operacioni ka tri parime kryesore. Parimi i parë është kontrolli operacional në vendet ku operojnë, pastrimi i zonave armike dhe shkatërrimi i infrastrukturës terroriste sipër dhe nën tokë. Parimi i dytë është mobilizimi i popullatës për arsye sigurie në zonat ku ne operojmë, ndërkohë që do të shënjestrojmë qeverisjen e Hamasit. Parimi i fundit është të shënjestrojmë sistemin komandues dhe kontrollin e Hamasit, për të shënjestruar komandantët e tij dhe aftësitë e mbetura deri në pikë e kolapsit ushtarak dhe qeverisës,” tha Shefi i Shtabit i ushtrisë izraelite, gjenerallejtnant Eyal Zamir.
Ushtria izraelite njoftoi se tani ka nën kontroll zonat strategjike të Rripit të Gazës.
Mësohet se Izraeli i ka propozuar së fundmi grupit Hamas një armëpushim të gjatë nëse pranon të lirojë gjysmën e pengjeve që mban me 100 të burgosur për terrorizëm në Izrael. Sipas marrëveshjes që raportohet se i është dorëzuar të dërguarit të posaçëm në Lindjen e Mesme, amerikanit Steve Witkoff, dhe ndërmjetësve në Katar, Hamasi duhet të dorëzojë edhe gjysmën e pengjeve që kanë humbur jetën në këmbim të 1.000 të burgosurve palestinezë të arrestuar pas masakrës së 7 tetorit 2023.
Witkoff, nga ana e tij, u ka kërkuar palëve të pranojnë propozimin e tij për një armëpushim dymujor, ndërsa duhet të vijojnë tryezat për dhënin fund totalisht të luftës. /TI/RTSH/