Skenari i vetëm (i pamundur) që e lë Shqipërinë jashtë Evropianit
Shqipëria do të jetë në “Gjermani 2024”, edhe pse duhet të presë ndeshjet e nëntorit për ta konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen në finalet e eventit të madh të futbollit.
Dy ndeshjet e kësaj të diele në Grupin E, ku bën pjesë edhe Shqipërisë, treguan se kuqezinjtë e meritojnë plotësisht të jenë në krye dhe ta mbyllin në vendin e parë këtë fushatë eliminatoresh.
Çekia fitoi me shumë vështirësi ndaj Ishujve Faroe (1-0), ndërsa Polonia mori vetëm një pikë në Varshavë përballë Moldavisë. Shqipëria ka 13 pikë, Çekia 11, Polonia 10 dhe Moldavia 9.
Nëse merr vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit me Moldavinë në transfertë ose Ishujt Faroe në “Air Albania”, Shqipëria është matematikisht e kualifikuar, por edhe nëse i humbet, sërish shanset janë të mëdha për ta mbyllur të paktën në vendin e dytë.
Vetëm një kombinim në kufijtë e së pamundurës e zhvendos skuadrën e Sylvinhos në vendin e tretë: Çekia fiton me Poloninë dhe shkon në kuotën e 14 pikëve, Moldavia mposht Shqipërinë dhe Çekinë dhe e mbyll e para e grupit me 15 pikë, ndërsa kuqezinjtë humbin edhe në “Air Albania” përballë Ishujve Farore.
Ata që na kanë dhuruar kaq shumë emocione në këto eliminatore as e mendojnë këtë skenar. Qëllimi është një dhe vetëm një: ta sigurojmë vendin e parë që në ndeshjen e radhës në transfertë me Moldavinë.