
Tirana mbledh liderët evropianë dhe ata të Ballkanit Perëndimor
Tirana është sot dhe nesër në qendër të vëmendjes evropiane, pasi do të jetë mikpritëse e Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.
Ky samit mbledh 47 liderë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtete partnere, duke përfshirë edhe presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ngjarja nis me një darkë pune të organizuar nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa dhe kryeministri Edi Rama, ku marrin pjesë liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor. Në këtë darkë do të jenë të pranishëm edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësues të lartë nga NATO, OSBE dhe Këshilli i Evropës .
Samiti do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, nën moton “Evropa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”. Agjenda përfshin sesione plenare, tryeza tematike mbi sigurinë, konkurrueshmërinë ekonomike dhe fuqizimin e të rinjve, si dhe takime dypalëshe mes liderëve
Për të garantuar mbarëvajtjen e samitit, autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë masa të rrepta sigurie, duke përfshirë bllokime të përkohshme të disa akseve rrugore në Tiranë.
Ky samit shënon një moment historik për Shqipërinë, duke e vendosur në qendër të dialogut evropian dhe duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në sfidat e përbashkëta që përballet kontinenti.