
Costa: Masat ndaj Kosovës janë të lidhura me de-eskalimin në veri
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në konferencën e përbashkët me presidenten Vjosa Osmani ka ndërlidhur masat sanksionuese ndaj Kosovës me shtensionimin e situatës në veri të vendit.
“Këto masa janë të lidhura me nevojën për të deskaluar tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Dëshiroj që sa më shpejt të arrihet shtensionimi dhe të mund të ecim përpara drejt heqjes së këtyre masave”, u shpreh Costa, teksa presidentja Osmani paraprakisht bëri thirrje për heqjen e tyre duke i quajtur padrejtësi.
Costa: Vendi i Kosovës është në familjen e Bashkimit Evropian
Costa, më tej, duke folur për anëtarësimin e Kosovës në familjen evropiane, theksoi se ky proces kalon nëpër normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në dobi të qytetarëve dhe ky proces është jetik për rrugëtimin tuaj drejt Bashkimit Evropian”, tha Costa.
Ai e quajti anëtarësimin në Bashkimin Evropian si proces që do të sjellë përfitime të konsiderueshme për qytetarët, dhe si investim në paqe dhe stabilitet.
“Vendi i Kosovës është në familjen e Bashkimit Evropian, por kjo kërkon gjithashtu që ju të përmbushni angazhimet tuaja. Me përfaqësuesin e ri të posaçëm të Bashkimit Evropian, z. Peter Sorensen, të emëruar këtë vit, është koha të shfrytëzohet kjo mundësi dhe të ecet përpara. Keni punuar shumë për të forcuar demokracinë tuaj gjatë viteve të fundit dhe jam i bindur se do të vazhdoni në të njëjtin drejtim. Kjo gjithashtu përfshin ndërtimin e konsensusit ndërmjet forcave të ndryshme politike”, dha mesazh ai nga Prishtina.
Costa gjithashtu bëri thirrje për zbatimin e agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke thënë se Kosova kështu mund të përfitojë në mënyrë të plotë. /rtk/