
Krasniqi: Në takim me presidenten do të kërkojmë reflektim nga VV
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas dështimit të formimit të komisionit për votimin e fshehtë në përpjekjen e 15-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se në takim me presidenten do të kërkojnë reflektim nga VV.
“Gjithë vendi ka mbetur peng i LVV-së, e cila përkundër kërkesës, propozimit dhe insistimit tonë për të ndërruar kryetaren e propozuar që nuk i ka votat, ata nuk po e bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë Krasniqi, raporton rtk.
Ai ka marrë shembullin nga praktika amerikane, për ndërrimin e emrit të kandidatëve në garën presidenciale, duke thënë se insistimi i kryetarit të VV-së, Albin Kurtit, për emrin e Albulena Haxhiut është i pakuptimtë.
Krasniqi ka thënë se PDK ka dhënë edhe opsionin e zgjedhjeve të reja.
“Në takim me presidenten do të shprehim edhe një herë qëndrimet tona, do të kërkojmë reflektim nga partia e parë që i takon privilegji i propozimit”, ka thënë ai.