Rasti `Mati`, Prokuroria Speciale sekuestron mbi 2 milionë euro pasuri

Rasti `Mati`, Prokuroria Speciale sekuestron mbi 2 milionë euro pasuri

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve Financiare të Policisë së Kosovës, ka sekuestruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej mbi 2.28 milionë euro në kuadër të hetimeve për rastin e koduar “Mati”, që lidhet me veprën penale të shpëlarjes së parasë.

Sipas një komunikate të përbashkët nga PSRK dhe Policia e Kosovës, kjo pasuri është zbuluar dhe sekuestruar me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në emër të të dyshuarit me inicialet Sh.C.

Pasuria e sekuestruar përfshin: 20 njësi banesore me sipërfaqe të përgjithshme prej 1,788.41 m², me vlerë të përafërt rreth 1,788,410.00 euro; 2 lokale afariste me sipërfaqe 167.54 m², me vlerë rreth 335,080.00 euro; 17 vendparkingje (garazha) me sipërfaqe 241.96 m², me vlerë rreth 145,176.00 euro; 6 depo me sipërfaqe 28.87 m², me vlerë rreth 17,388.00 euro.

“Pasuria është identifikuar gjatë hetimeve në bashkëveprim dhe mbikëqyrje të ngushtë me prokurorin e lëndës nga Prokuroria Speciale”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria thekson se hetimet janë në zhvillim dhe rasti po trajtohet në drejtim të veprës penale “Shpëlarja e parave”. Autoritetet kanë bërë të ditur se opinioni publik do të njoftohet me kohë për zhvillimet e mëtejme lidhur me këtë rast, raporton rtk.

Share This