Muçi: Ëndërroj golat e Asanit, polakët na falenderuan për fitoren e fundit
Ndeshja me Bullgarinë do të jetë një shans i artë për lojtarët, të cilët kanë koleksionuar pak minuta lojë, për të treguar se kanë merituar besimin e dhënë nga Silvinjo. Njëri prej tyre është edhe Ernest Muçi. Talenti i Tiaranës ka qenë sot përpara gazetarëve për të prezantuar takimin e radhës të Shqipërisë, të cilin e konsideron si një mundësi të artë.
“Këtë ndeshje nuk e shikojmë shumë miqësore, e shikojmë më shumë si një ndeshje zyrtare. Shpresoj që të luajmë sa më mirë dhe të paraqitemi sa më mirë. Do të luftojmë shumë dhe do të duam që ta fitojmë”, tha lojtari i Legias së Varshavës.
Ashtu siç ndodh shpesh në përfaqësuese, të cilat kanë lojtarë në shumë vende të kontinetit historitë personale janë të shumta. Një të tillë tregon edhe Muçi me shokët e tij të skuadrës në Varshavë.
“Te ekipi im edhe për fitoren me Çekinë shumë lojtarë më thanë: ‘Faleminderit që fituat!’”, tregon Muçi.
Mes të tjerash sulmuesi pranon se seancat stërvitore me Silvinjon e kanë përmirësuar së tepërmi si lojtar, edhe pse në fushë ka koleksionuar shumë pak minuta titullari. “Me Silvinjon kemi folur si do të përmirësohem si futbollist. Ai më ka ndihmuar që nga hera e parë që jam grumbulluar në Kombëtare”, thekson Muçi.
Si për të treguar harmoninë e plotë në grup Muçi flet me superlative për Asanin, golat e të cilit tashmë identifikojnë Shqipërinë në të gjithë Europën.
“Jam shumë i lumtur për Asanin sepse po bën shumë mirë dhe e meriton. Shpresoj që një ditë dhe unë të shënoj si ai”, përfundoi Muçi.