17 kallëzime penale kundër Albin Kurtit dhe ministrave të tij, Hykmete Bajrami: Konsumuan vepër penale

17 kallëzime penale kundër Albin Kurtit dhe ministrave të tij, Hykmete Bajrami: Konsumuan vepër penale

Shtatëmbëdhjetë (17) kallëzime penale kundrejt Albin Kurtit dhe ish-ministrave të tij i kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës, dy deputetet e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe Doarsa Kica-Xhelili.

Kështu duke sfiduar ligjshmërinë e të gjitha vendimeve të marrë nga Albin Kurti dhe ish-ministrat e tij të cilët nuk kanë dhënë dorëheqje si anëtarë të qeverisë në detyrë nga 27 marsi që kur rezultatet zgjedhore janë certifikuar nga KQZ-ja, duke i certifikuar ata si deputetë.

Kushtetuta e Kosovës e ndalon ushtrimin e dy pushteteve: atë ekzekutiv dhe legjislativ në të njëjtën kohë – njëjtë si edhe Ligji për Qeverinë që e ka miratuar vetë Lëvizja Vetëvendosje, që i detyron të dorëhiqen edhe si “anëtar të qeverisë në detyrë” me t’u zgjedhur deputet.

“Kemi dorëzuar 17 kallëzime penale kundër ish-Kryeministrit Albin Kurtit dhe ish-ministrave të tij duke përfshirë edhe një ish-zëvendësministre. Të gjithë këta të zgjedhur deputetë dhe të certifikuar”, ka thënë Bajrami me të dalë nga zyrat e Prokurorisë Speciale ku deponuan kallëzimet penale.

Bajrami ka thënë se Kurti me ministrat e tij kanë konsumuar vepër penale të sanksionuar në nenin 141 të Kodit të Procedurës Penale.

“Konsiderojmë se nga 27 marsi këta janë në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë, neni 26, ligj ky i hartuar dhe i miratuar nga votat e deputetëve të LV-së. Dhe duke qenë se prej datës së certifikimit, ata vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat e ministrive dhe marrë vendimet dhe shfrytëzuar resurset e institucioneve të Kosovës që kanë pasoja financiare, këta deputetë kanë konsumuar vepër penale e sanksionuar në nenin 141 të Kodit të Procedurës Penale”, ka thënë ajo.

Bajrami ka rikujtuar se neni 26 i Ligjit për Qeverinë, detyron ata anëtar, saktësisht të qeverisë në detyrë të dorëhiqen dhe funksionet të barten të zëvendësit e tyre.

“Grupi i juristëve i koordinuar nga zonja Xhelili kanë kërkuar qasje në dokumente, ne sot i jem i drejtuar Prokurorisë Speciale, dhe u takon atyre të kërkojnë qasje në vendime të tjera, Vazhdimi i tyre, shfrytëzimi i resurseve, i zyrave dhe veturave zyrtare të gjitha këto janë në kundërshtim me nenin 26 të LP dhe 141 të KPP”, ka thënë ajo.

LDK kishte paralajmëruar kallëzimet penale para mese dy javësh: ditën kur edhe zyrtarisht dhjetë anëtarë qeverie të Vetëvendosjes ishin betuar edhe si deputetë në Kuvendin e Kosovës, kur pa asnjë mëdyshje finalizohej nisja e mandatit të atyre si deputetë.

Share This