
A po vjen në rend çështja e licencimit të institucioneve serbe në Kosovë?
Pasi autoritetet e Kosovës mbyllën gjatë një viti e gjysmë të fundit dhjetëra institucione që funksiononin sipas sistemit të Serbisë, njëri prej tyre rifilloi punën këtë javë – por, me leje pune sipas ligjeve të Kosovës.
Bëhet fjalë për Ndërmarrjen Publike Komunale në Shtërpcë – komunë me shumicë serbe në jug të Kosovës – e cila ishte mbyllur para rreth dhjetë ditësh.
Kryetari i komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, njoftoi më 5 maj se punëtorët e kësaj ndërmarrjeje janë kthyer në punë, duke sqaruar se është në proces procedura për marrjen e licencës sipas ligjeve të Kosovës.
Nga ana tjetër, ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se është e domosdoshme përshtatja me rrethanat e reja, dhe se çështja e licencimit të institucioneve që punojnë sipas sistemit të Serbisë “do të vijë në rend dite”.
Ai nuk mundi të thotë se kur mund të hapet kjo çështje, e as se do të rregullohet patjetër, por theksoi se kjo “një ditë do të jetë një mundësi potenciale për të cilën duhet diskutuar”.
Edhe Dushan Janjiq, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, vlerësoi se licencimi i institucioneve serbe në Kosovë është “domosdoshmëri”, dhe se për shumicën e tyre duhet të diskutohet në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Sepse, kjo [kalimi në sistemin e Kosovës] nuk është vetëm ndërrim i numrit të të punësuarve, por edhe i rregullave të funksionimit, dhe i shumë, shumë të tjerave”, tha Janjiq.
Prishtina zyrtare i konsideron institucionet e Serbisë për komunat në Kosovë si paralele dhe ilegale, dhe ka nisur mbylljen e tyre në fillim të vitit 2024.
Kryetari i Shtërpcës, Jevtiq, deklaroi për median lokale në gjuhën serbe, Kosovo Online, se kërkesa e tij ishte që fillimisht të lejohet funksionimi i administratës së Ndërmarrjes Publike Komunale, dhe se gjatë kësaj jave do të vazhdohet me aktivitetet për marrjen e licencës.
“Ajo që është më e rëndësishme për qytetarët e komunës së Shtërpcës është që Ndërmarrja Publike Komunale do të vazhdojë të ofrojë shërbime në të njëjtën mënyrë si më parë deri në marrjen e licencës, dhe shpresoj që askush nuk do ta shkelë marrëveshjen që kemi bërë”, tha Jevtiq.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Komunës së Shtërpcës dhe kryetarit Jevtiq me kërkesë për hollësi shtesë lidhur me funksionimin dhe financimin e mëtejshëm të kësaj ndërmarrjeje, përkatësisht nëse ajo do të financohet ende nga buxheti i Serbisë apo do të përkrahet nga Qeveria e Kosovës. Megjithatë, deri në publikimin e këtij teksti nuk ka pranuar përgjigje.
“Licencimi është një çështje racionale”
Për ministrin në detyrë Rashiq, çështja e licencimit të Ndërmarrjes Publike Komunale në Shtërpcë është “një çështje racionale, normale dhe teknikisht e zgjidhshme”.
“Është shumë e rëndësishme që ne të përshtatemi me rrethanat që na janë imponuar, jo ato që i kemi krijuar vetë. Flas për marrëveshjet që janë arritur [në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi]. Kjo njohje de facto [e Kosovës nga Serbia] lë pasoja në terren, që ne i përjetojmë çdo ditë”, tha Rashiq për Radion Evropa e Lirë.
Në këtë kontekst, ai theksoi se serbët tani duhet të luftojnë për të drejtat e tyre brenda institucioneve të Kosovës, “të cilat në mënyrë ligjore përcaktojnë rregullat dhe sjelljet”.
Deri më tani, për shkak të “aktivitetit të paligjshëm” ose “falsifikimit të dokumenteve” – siç e përshkruan Prokuroria e Kosovës punën e institucioneve serbe – janë mbyllur organet komunale të përkohshme, qendrat për punë sociale, Posta e Serbisë, Banka Kursimore Postare, Fondi i Sigurimit Pensional, Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe institucione të tjera.
Janjiq: Është vendosur një realitet i ri
Janjiq vlerësoi se, me mbylljen e institucioneve serbe, autoritetet e Kosovës kanë vendosur “një realitet të ri”, dhe se në negociatat e ardhshme për normalizim do të hasen shumë probleme, pasi nuk është formuar ende Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Ky asociacion ishte paraparë të rregullojë, ndër të tjera, funksionimin e institucioneve serbe dhe financimin e tyre nga buxheti i Serbisë.
Sipas tij, disa institucione, si ato komunale apo ndërmarrjet publike, do të licencohen më lehtë, ndërsa për të tjerat – si ato lokale, shëndetësore dhe arsimore – nevojitet marrëveshje në nivel më të lartë.
“Do të duhet të negociohet. Sipas mendimit tim, Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe është në disa pjesë e vdekur, sepse nuk mund të kalohet përmes komunave, pasi vetëqeverisja e pakicave nuk i përket pushtetit lokal. Së dyti, Kosova ka një shkallë të lartë të decentralizimit, ndaj nuk mund të rritet më tej pushteti i kryetarëve për shkak të serbëve”, theksoi ai.
“Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare”
Kryetari i Shtërpcës, Jevtiq, më 5 maj i falënderoi përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, për mbështetjen, ndihmën dhe mirëkuptimin që treguan për rifillimin e punës së Ndërmarrjes Publike Komunale.
Më 28 prill, ai u takua me ushtruesen e detyrës së ambasadores së SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, me të cilën diskutoi këtë temë. Komuna e Shtërpcës njoftoi atë ditë se Qeveria e Kosovës kishte refuzuar të përgjigjej në kërkesën për licencimin e ndërmarrjes, teksa e quajti mbylljen një “vendim politik”.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar gjithashtu Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë me pyetjen nëse do ta mbështeste licencimin e institucioneve serbe, si zgjidhje për funksionimin e tyre në Kosovë.
Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë SHBA-në, deri më tani ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendimet që i ka cilësuar të njëanshme dhe të pakoordinuara për mbylljen e institucioneve serbe, duke theksuar mungesën e zgjidhjeve alternative për ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Ajo që e dallon Ndërmarrjen Publike Komunale të Shtërpcës nga institucionet e tjera të mbyllura serbe është se nuk ka ekzistuar një institucion i tillë në sistemin kosovar.
Megjithatë, edhe pse disa institucione serbe në Kosovë kanë funksionuar paralelisht me ato të Kosovës, shërbimet që ato ofronin ishin të ndryshme – kishin të bënin me të drejtat sipas sistemit të Serbisë.
Pjesëtarët e komunitetit serb, përveç shtetësisë së Kosovës, kanë edhe atë të Serbisë dhe, për rrjedhojë, të drejtën për mbrojtje sociale apo shëndetësore, dokumente, pension, e të tjera.
Kosova dhe Serbia heshtin për licencimin e institucioneve të mbyllura
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjen nëse ekziston mundësia apo po shqyrtohet licencimi i institucioneve të tjera të mbyllura serbe, por nuk ka marrë përgjigje. Zyrtarë të lartë kosovarë kanë deklaruar publikisht se nuk do të lejojnë funksionimin e “institucioneve ilegale”, por nuk janë shprehur nëse ato do të pranoheshin në rast se marrin licencë dhe veprojnë sipas ligjeve të Kosovës.
Nga ana tjetër, ministri në detyrë, Rashiq, tha se do të përkrahë opsionin që të punësuarit në institucionet serbe “të pranohen në një sistem të modifikuar, që na është imponuar, dhe në të cilin ne nuk kemi pasur ndikim”. Rashiq fitoi një ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e shkurtit, duke hapur mundësinë që të jetë sërish pjesë e Qeverisë.
Pyetjes për licencimin e institucioneve serbe në Kosovë nuk i është përgjigjur as Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Beogradi zyrtar nuk i ka mbyllur asnjëherë institucionet për Kosovën, që janë mbyllur nga autoritetet kosovare, por disa prej tyre i ka zhvendosur në qytete kufitare brenda territorit të Serbisë.
Po ashtu, të punësuarit në këto institucione vazhdojnë të marrin rroga nga buxheti i Serbisë, edhe pse disa prej tyre nuk paraqiten fare në vendin e punës./REL