
Jashari dhe Pfeifer flasin për mundësinë e bashkëpunimit mes ushtrive të Kosovës dhe Gjermanisë
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në një takim zyrtar Gjeneral Brigade Andreas Pfeifer, drejtor i Operacioneve në Komandën e Operacioneve të Forcave të Përbashkëta të Bundeswehr-it gjerman.
Vizita e Gjeneralit Pfeifer në Kosovë vjen në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet FSK-së dhe Bundeswehr-it.
Gjatë takimit, Gjenerallejtënant Jashari e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania ka ofruar në ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë diskutimit u trajtuan edhe objektivat strategjikë të zhvillimit të forcës në përmbushje të misionit kushtetues dhe ligjor.
Gjenerali Pfeifer e përgëzoi Gjeneral Jasharin për vizionin e tij dhe përkushtimin në forcimin dhe profesionalizimin e FSK-së.
Në përmbyllje të takimit, të dy gjeneralët diskutuan për aktivitetet e përbashkëta dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes dy forcave të armatosura, me synim ruajtjen e paqes, forcimin e sigurisë dhe rritjen e ndërveprueshmërisë në misionet ndërkombëtare.