
AGK: 29 kërcënime e sulme ndaj gazetarëve në katërmujorin e parë të 2025
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka bërë të ditur se gjatë katër muajve të parë të vitit 2025 janë regjistruar 29 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë.
AGK thekson se këto incidente vazhdojnë të jenë shqetësuese dhe se gazetarët vazhdojnë të përballen me sfida serioze në kryerjen e detyrës së tyre profesionale.
“Statistikat tregojnë një realitet të hidhur ku gazetarët nuk po mund të punojnë në kushte të sigurta. Ata duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre në interes të publikut, pa pengesa dhe pa frikë,” thuhet në njoftim.
“AGK-ja mbetet e përkushtuar në monitorimin e situatës dhe avokimin për sigurinë e gazetarëve, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin hapa për të siguruar një mjedis të sigurt për mediat dhe gazetarët,” theksoi organizata.