Rrahmani fotografohet me karrocë në Rumani, premton se do të rikthehet më i fortë

Rrahmani fotografohet me karrocë në Rumani, premton se do të rikthehet më i fortë

Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani, u lëndua në fitoren ndaj Andorrës në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.

Ai ka pësuar frakturë të fibulës dhe këputje të ligamenteve në kyçin e këmbës së djathtë dhe do të jetë jashtë për një kohë të gjatë.

Rrahmani do të operohet të hënën më 16 tetor.

Lojtari tashmë ka arritur në Rumani dhe është fotografuar me karrocë, duke dal nga aeroporti.

Rrahmani konfirmoi se do të kryejë disa analiza mjekësore për të identifikuar dëmtimin që ka pësuar, si dhe periudhën që do të kalojë jashtë fushës.

“Do të bëj sërish një sërë ekzaminimesh dhe më pas do të shoh se çfarë duhet të bëj. Shpresoj të rikthehem sa më shpejt në fushë. Më dhemb shumë sepse është dëmtimi im i parë. Nuk e di sa kohë do të iki, shpresoj të kalojnë më pak se 3 muaj. Është shumë e vështirë për mua. Kam pasur një fillim të mirë në Rapid. Shpresoj që skuadra t’i fitojë të gjitha ndeshjet dhe të mos më mungojë në fushë”, ka thënë ai, raporton lajmi.

Tutje, sulmuesi kosovar u ka thënë tifozëve të Rapidit se pasi të shërohet do të kthehet në fushë më i fortë se kurrë.

“Dua t’u premtoj të gjithë tifozëve të Rapid se do të kthehem më i fortë se kurrë”, shtoi futbollisti.

Sipas mediumeve rumune sulmuesi i Rapid nuk ka shpresa që do të rikthehet në fushë këtë vit.

23-vjeçari e ka filluar këtë sezon në mënyrë më të mirë, pasi ka arritur të shënojë tetë gola e ka dhuruar dy asistime në vetëm 11 ndeshje me Rapidin.

Share This