
Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër për të tentuar sërish konstituimin e legjislaturës së re
Të shtunën (3 maj) pritet që deputetët e Kuvendit të Kosovës të tentojnë për të dhjetën herë konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Janë bërë pothuajse tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve, ndërsa institucionet e reja të Kosovës vazhdojnë të mbesin të pakonsoliduara.
Përplasjet mes pozitës dhe opozitës po thellohen, duke çuar kështu vendin drejt bllokadës politike.
Sakaq PDK e LDK vazhdojnë të kenë qëndrime të njëjta.
“Një proces që ka filluar tash e sa kohë, që është procesi i votimit për të zgjedhur kryekuvendarin, të provojë që të ndikojë në procedurat e brendshme të kuvendit e të ndryshojë formën e votimit. Kjo nuk ndodhë në asnjë shtet demokratik dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në Republikën e Kosovës dhe është një precedent i rrezikshëm për mënyrën se si këta e shohin shtetin, e shohin ligjin dhe si e shohin Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Blerta Deliu, deputete e PDK-së.
Armend Zemaj, deputet nga LDK-ja tha se ky është abuzim me pozitën që i ka dhënë Rregullorja e Punës së Kuvendit.
“Është sjellje e papranueshme, në fund të fundit është edhe denigrim edhe i personalitetit të individit, por është një strategji abuzive të cilën po e përdorë LVV-ja për të bllokuar krijimin e institucioneve të reja”, tha ai.
Ndërkohë kreu i AAK-së Ramush Haradinaj tha se nëse Vetëvendosje e nxjerrë një figurë unifikuese nesër do të kenë kryetarin ose kryetaren e Kuvendit”. /rtsh/