
Witkoff favorit, përmendet edhe Grenell si kandidat për këshilltar të Trumpit për Siguri Kombëtare
Donald Trump ka shkarkuar këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, dhe në mediat amerikane tashmë janë shfaqur emrat e kandidatëve që mund ta zëvendësojnë ish-ushtrakun.
Sipas shkrimit të Politico, ndër kandidatët është edhe ish-i dërguari i posaçëm i Trumpit për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.
Grenell është padyshim një emër i njohur në Ballkanin Perëndimor. Ai shpesh komenton zhvillimet në Kosovë dhe serbi.
Njihet gjithashtu për mbështetjen ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiqit, presidentit të Serbisë, por edhe ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe për kritikat e shpeshta ndaj kryeministrit të tanishëm të Kosovës, Albin Kurti.
Përveç Grenellit, kandidat për pozitën e Waltzit është edhe Steve Witkoff, të cilin Trump fillimisht e emëroi si të dërguar të posaçëm për Lindjen e Mesme, e më pas për zgjidhjen e konfliktit ruso-ukrainas.
Witkoff njihet për qëndrimet pro-ruse, si dhe për idenë që lufta të përfundojë duke përmbushur të gjitha kushtet që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka vënë Ukrainës dhe SHBA-së.
Ndër kandidatët e tjerë dallohen zëvendësshefi i kabinetit të Trumpit, Stephen Miller, i njohur për qëndrimet mjaft radikale të djathta që shpesh i shpreh në rrjetet sociale, si dhe Sebastian Gorka, ekspert për sigurinë kombëtare.
Kujtojmë se Waltz është shkarkuar për shkak të një sërë skandalesh dhe gafash, dhe i pari ndër to ishte një bisedë në grup në aplikacionin Signal, ku ai gabimisht kishte shtuar gazetarin e The Atlantic, Jeffrey Goldberg.
Fillimisht Trump e kishte mbështetur Waltzin, por duket se përmasat e këtij skandali ia kushtuan atij vendin në administratë.