
Bajrami: S’ka ndodhur në histori të ndryshohet procesi pasi të ketë filluar – Haxhiu s’bëhet Kryetare me votat e LDK-së
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami pas dështimit të seancës konstituive ka thënë se sot u bë edhe një shkelje tjetër, ku në mes të procesit u kërkua që të ndryshohet forma e votimit për Kryeparlamentarin.
Sipas saj, Rregullorja e përcakton edhe formën e fshehtë por para se të nis procesi.
“Shpreh keqardhjen tonë për dështimin e radhës në konstituimin e Kuvendit. Pos dështimeve sot u bë edhe një shkelje tjetër me arbitraritet me një proces të votimit që tashmë ka filluar. U tentua të ndryshohet mënyra e votimit. Në fakt, Rregullorja e Kuvendit përcakton mënyrat e votimit, që është mënyra e fsheht dhe e hapur por në fillim të procesit përcaktohet. S’ka ndodhur në histori të institucioneve të Kosovës të ndryshohet procesi pasi të ketë filluar”, tha ajo.
Deputetja e LDK-së tha se VV-ja po refuzon të konstituoje institucionet, veç për shkak emrit të Albulena Haxhiut.
“Ne sot flasim për një emër të vetëm, atë të Haxhiut. Ata që kanë votuar VV-në duhet ta dinë që jemi duke shkuar drejt një proces të zgjedhjeve, jo sepse si parti politike nuk po pajtohemi se si ta adresojmë inflacionin, apo si ta luftojmë mafinë energjetike, apo mënyrën e arsimit apo papunësinë, por sepse partia fituese e cila i ka 48 ulëse në Kuvend e ka një problem të vetëm, në emrin e Albulena Haxhiut. Dhe në qoftëse shkojmë në zgjedhje, shkojmë sepse VV po refuzon të konstituojë institucionet, po dëshiron t’i përsërisim zgjedhjet për ta bërë Haxhiun Kryetarpalemtnare”.
Ajo theksoi se Haxhiut s’do të bëhet Kryetare e Kuvendit me votat e LDK-së, ndërsa përsëritit se s’bëjnë marrëveshje politike me VV-në.
“S’dëshirojmë të kemi marrëveshje politike me VV-në, ka qenë edhe arsyeja që s’kemi marrë pjesë në takim. Pse me marrë pjesë kur na diktohet se si të votojmë”, tha ajo para gazetarëve.
/Reporteri.net/