ZRRE del me njoftim lidhur me tarifat e reja të energjisë

ZRRE del me njoftim lidhur me tarifat e reja të energjisë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka dalë me njoftim rreth tarifave të energjisë elektrike dhe ndikimin që kjo do të ketë tek konsumatorët në veri.

“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton opinionin publik se Bordi i ZRRE me datë 16.04.2025 ka aprovuar edhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Transmetimit, Operimit të Sistemit dhe Operimit të Tregut, si dhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Shpërndarjes, të cilat tarifa janë të detyrueshme për të gjithë Furnizuesit e energjisë elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Furnizuesin e energjisë elektrike Elektrosever”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Sipas ZRRE-së rritja e tarifave të energjisë elektrike 16.1% vlen për Furnizuesin me Shërbim Universal, që operon në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe këtë obligim të shërbimit universal e ka KESCO.

“Gjithashtu njoftojmë opinionin publik se Furnizuesi i energjisë elektrike Elektrosever ka licencë nga ZRRE për konsumatorët e katër komunave në veri të Republikës së Kosovës, si furnizues komercial, si dhe shumë furnizues tjerë të energjisë elektrike të licencuar nga ZRRE”, thuhet tutje në njoftimin e Rregullatorit të Energjisë, raporton rtk.

Share This