
‘Lojtarët e Interit ia kanë ‘kthye shpinën’ e Inzaghit’
Legjenda e Lazios, Paolo Di Canio, është i bindur se trajneri Simone Inzaghi po has në vështirësi për motivimin e lojtarëve të Interit.
Pas dy humbjeve radhazi, e fundit ndaj Romës në “San Siro”, Interi ka rënë në vendin e dytë të Serie A, tre pikë pas liderit të ri, Napolit.
Di Canio ka vënë në pikëpyetje menaxhimin e Inzaghit, duke sugjeruar se lojtarët ja kanë “kthyer shpinën” teknikut italian.
“Nëse ky është versioni i vërtetë i Interit, me dy ndeshje që do të ndeshen me Barcelonën, do ta kenë shumë të vështirë të marrin rezultat pozitiv kundër kujtdo”, tha Di Canio për “Sky Italia”, raporton RTKLive.
“Mund të pajtohem për problemet fizike, por pas 15 javësh, Interi kishte shtatë pikë më pak se sezoni i kaluar. Motivimi bën diferencën”.
“Ka trajnerë që dinë ta japin këtë motivim, dhe të tjerë si Inzaghi që janë shumë të mirë në aspekte të tjera, si stili i lojës. Simone na ka kënaqur me futbollin e tij, por ekziston një problem menaxhimi. Nuk mund të fajësosh vetëm lodhjen kur pëson dy gola ndaj Parmës. Interi është rikuperuar shumë herë nga kundërshtarët dhe kjo nuk lidhet vetëm me lodhjen”, ka theksuar Di Canio.