Dramë në kryeqytet: Sigal Prishtina fiton ndaj Trepçës pas vazhdimeve

Dramë në kryeqytet: Sigal Prishtina fiton ndaj Trepçës pas vazhdimeve

Sigal Prishtina ka triumfuar ndaj Trepçës me rezultat 90:83, pas vazhdimeve, në ndeshjen e dytë të serisë gjysmëfinale të “Play off” në Superligën e Kosovës në basketboll.

Kjo ka ndodhur të mërkurën në një mbrëmje të mbushur me emocione dhe spektakël në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Përballja ka qenë e fortë nga fillimi deri në fund. Trepça e ka mbyllur çerekun e parë me epërsi prej 10 pikësh (13:23), por prishtinasit kanë rikuperuar gradualisht, duke e bërë ndeshjen të barabartë në pjesën e dytë.

Në çastet e fundit të kohës së rregullt, kur Sigal Prishtina ka qenë duke udhëhequr me rezultat të ngushtë, ka qenë amerikani Tekele Cotton që me dy gjuajtje të lira në sekondat e fundit i ka barazuar shifrat në 77:77, duke e çuar ndeshjen në vazhdime.

Në pesë minutat shtesë, Prishtina është treguar më e përqendruar, duke fituar çerekun e vazhdimeve 13:6 dhe duke përmbyllur takimin me fitore 90:83.

MVP i ndeshjes ka qenë Jordan Davis, i cili ka pasur 23 pikë, 7 kërcime dhe 4 asistime. Ai është ndihmuar nga Rashid Mahalbashiq me 15 pikë dhe 9 kërcime.

Në anën tjetër, lideri i Trepçës ka qenë Tekele Cotton me 19 pikë, 9 kërcime dhe 7 asistime.

Me këtë fitore, seria gjysmëfinale është barazuar në 1:1. Skuadra që arrin tri fitore kualifikohet në finale, ndërsa përballja e radhës do të zhvillohet të shtunën në Mitrovicë.

Share This