
Një person humb jetën në një aksident në magjistralen Ferizaj-Prishtinë
Policia ka bërë të ditur se një aksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 04:30, në magjistralen Ferizaj-Prishtinë.
Policia njofton se nga ky aksident një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime trupore.
“Sot rreth orës 04:30, ka ndodhur një aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Ferizaj, ku ka qenë i përfshirë një automjet. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore kanë pësuar dy persona, njëri nga të cilët nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, rasti është duke u hetuar nga njësiti rajonal i trafikut për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.