
Xabi Alonso rikthehet fuqishëm në garë për trajner të Realit
Thashethemet për të ardhmen e kreut të bankinës së Real Madridit po rriten gjithnjë e më shumë.
Emri i Xabi Alonsos po rikthehet fuqishëm në qendër të diskutimeve.
Sipas “Sky Sports”, trajneri i Bayer Leverkusen ka rifilluar kontaktet me klubin “mbretëror”, duke rritur spekulimet për një rikthim të mundshëm në “Santiago Bernabéu”.
Bayer Leverkusen thuhet se nuk është i befasuar nga kjo situatë dhe, siç raportohet, klubi gjerman po shqyrton paraprakisht opsione të tjera në rast se Alonso vendos të pranojë ofertën e madrilenëve.
Megjithatë, Real Madridi deri tani nuk ka ndërmarrë hapa zyrtarë në adresë të Leverkusenit, duke mbajtur gjithçka në prapaskenë.
Vetë Alonso, në një konferencë për media, zgjodhi të ruajë qetësinë dhe të mos flas publikisht.
“Nuk e di. Më duhet të përgatitem për ndeshjen e rëndësishme ndaj St. Pauli. Nuk është koha e duhur për të folur për të ardhmen, sepse jemi në një fazë vendimtare të sezonit dhe duam të qëndrojmë të përqendruar”, u shpreh ai.
Me fundin e sezonit që po afron dhe e ardhmja e Carlo Ancelottit ende të paqartë, Xabi Alonso shihet opsioni më i mundshëm për të marrë ‘timonin’ e Real Madridit në verën që po vjen.