
Urdhri ‘Nderi i Republikës’ për të mbijetuarit e dhunës seksuale
Heronj të gjallë janë quajtur Vasfije Krasniqi, Shyhrete Tahiri e Ramadan Nishori, sot kur në zyrën presidenciale ata u dekoruan me urdhrin “Nderi i Republikës”.
Në këtë ceremoni solemne presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, tha se ky urdhër ndahet me motivacionin: “Për guximin e jashtëzakonshëm për ta thyer heshtjen shumëvjeçare të krimeve më çnjerëzorë të kryera gjatë luftës. Për dinjitetin me të cilin kemi përballuar dhimbjen dhe stigmën si dhe për rolin e pazëvendësueshëm në ndërgjegjësimin shoqëror e ndërkombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës”.
“Ka momente kur fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohjen, siç ka edhe njerëz me guximin e tyre të lënë pa fjalë. Sot jemi këtu për t’u përulur me respektin më të thellë përballë tre individëve që janë më shumë se thjesht individë, sepse me dhimbjen e tyre kanë ndriçuar rrugën drejt së vërtetës, drejtësisë dhe shpresës. Vasfje Krasniqi , Shyhrete Tahiri e Ramadan Nishori do të mbeten emra të gdhendur në ndërgjegjen kolektive të popullit tonë”, tha presidentja, raporton rtk.
Tutje shtori se në histori janë të rrallë zërat që ndonëse të lodhur nga padrejtësia flasin me fuqi që tund themelet e heshtjes.
“Ju jeni zëri i së vërtetës që po pret drejtësi me dekada. Ju jeni zëri që keni zgjedhur dinjitetin, jeni zëri i të mbijetuarve që refuzonin heshtjen”.
Osmani tha se Vasfije Krasniqi, Shyhrete Tahiri e Ramadan NIshori me aktin e tyre kanë ngritur jo vetëm zërin e tyre, por të mijëra të mbijetuarve që ende jetojnë me plagën e krimeve të llahtarshme të kryera nga regjimi i Millosheviqit.
“Ky nuk është thjesht një dekorim, është një premtim i gjallë se nuk do të lejojmë që historia t’i harrojë ata që u shkelen nga mizoria dhe se Republika jonë asnjëherë nuk do të jetë e plotë pa drejtësi për ju dhe mijëra të mbijetuar të tjerë të cilët përjetuan aktin më barbarë nga regjimi i Millosheviqit”.
Me pak fjalë e shumë emocione këtë urdhër e pranoi Ramadan NIshori që u bë burri i parë në Kosovë i cili publikisht foli për dhunën seksuale gjatë luftës. Ai falënderoi të gjithë për përkrahjen.
Për përkrahje e kurajë falënderime pati edhe Shyhrete Krasniqi, derisa Vasfije Krasniqi e para grua që publikisht foli si e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë u bëri thirrje të gjithëve që të kërkojnë drejtësi.
“Të dashura viktima ka ardhur koha të kërkoni drejtësinë. Çlironi shpirtin mos t’ia falim Serbisë krimin që ka kryer”, tha ajo derisa pranoi urdhrin “Nderi i Republikës” nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.