
Presidenti ukrainas: Kina armatos Rusinë dhe ndërton armë në tokën e saj
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi të enjten se Kina po furnizon me armë Federatën Ruse, përfshirë barut dhe artileri, dhe se përfaqësues kinezë janë të përfshirë në prodhimin e armëve në territorin rus. Sipas tij, informacioni vjen nga raportime të shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës ukrainase.
“Ne jemi të gatshëm të flasim në detaje për këtë,” tha Zelenskyy, duke shtuar se Ukraina do të ndajë dokumentacion mbështetës për këto pretendime gjatë javës së ardhshme.
“Ne besojmë se përfaqësuesit kinezë janë të angazhuar në prodhimin e disa armëve në territorin rus… Shohim bashkëpunim ushtarak mes dy vendeve dhe duhet ta pranojmë se kjo po ndodh,” tha presidenti ukrainas në një konferencë për shtyp në Kiev.
Deri më tani, Kina nuk ka reaguar ndaj akuzave të fundit, ndërsa më herët ka mohuar vazhdimisht se furnizon me armë Rusinë në luftën kundër Ukrainës.
Në të njëjtën konferencë, Zelenskyy theksoi se Rusia ka ndryshuar objektivat e sulmeve të saj, duke reduktuar goditjet ndaj infrastrukturës energjetike dhe duke rritur ato ndaj infrastrukturës civile.
“Ata kanë reduktuar goditjet ndaj energjisë – ky është një fakt. Por numri total i raketave dhe dronëve që lëshohen mbi Ukrainë mbetet i njëjtë,” deklaroi ai.
Ndërkohë, ministrja ukrainase e ekonomisë, Yulia Svyrydenko, njoftoi se Ukraina ka nënshkruar një “memorandum synimi” me SHBA-të për krijimin e një fondi investimi për rindërtimin e vendit. Po ashtu, sipas presidentit amerikan Donald Trump, një marrëveshje për bashkëpunim në sektorin e mineraleve pritet të nënshkruhet të enjten e ardhshme. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, konfirmoi për AFP se data e synuar për marrëveshjen është 26 prilli. /rtsh/