Tragjedi në Itali- Bie teleferiku, humbin jetën katër persona, plagoset një tjetër

Tragjedi në Itali- Bie teleferiku, humbin jetën katër persona, plagoset një tjetër

Katër persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë pas rrëzimit të një teleferiku pranë qytetit Castellammare di Stabia, në Italinë jugore.

Ngjarja ndodhi pasi një kabllo e teleferikut që transportonte turistët drejt malit Faito, rreth tre kilometra larg qytetit, u këput, duke shkaktuar rrëzimin tragjik të një prej kabinave.

“Katër trupa të pajetë u gjetën, ndërsa personi i pestë i plagosur u shpëtua dhe u dërgua në spital”, konfirmoi departamenti i zjarrfikësve përmes një postimi në Telegram.

Sipas autoriteteve lokale, operacionet e shpëtimit u vështirësuan nga kushtet e pafavorshme atmosferike, përfshirë mjegullën e dendur dhe erërat e forta. Në vendngjarje ndërhynë mbi 50 zjarrfikës.

Një nga kabinat e teleferikut, me 16 pasagjerë në bord, ndodhej pranë qytetit dhe u vendos me sukses në tokë të sigurt.

Ndërkohë, kabina tjetër ishte e varur mbi një greminë në malin Faito, gjë që vonoi ndjeshëm ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit.

Teleferiku ishte rihapur vetëm dhjetë ditë më parë për sezonin veror. Prokuroria ka nisur hetimet për shkaqet e aksidentit.

“Teleferiku u rihap me të gjitha kushtet e kërkuara të sigurisë. Ajo që ndodhi është një tragjedi e paimagjinueshme dhe e paparashikueshme,” deklaroi Umberto de Gregorio, drejtues i kompanisë që menaxhon teleferikun.

Ngushëllimet për viktimat u shprehën edhe nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, përmes një deklarate të zyrës së saj.

Teleferiku funksionon që nga viti 1952. Aksidente të ngjashme kanë ndodhur më parë në Itali – në vitin 1960 një tjetër incident në të njëjtin teleferik la katër të vdekur, ndërsa në vitin 2021 një tjetër tragjedi në veriun e Italisë mori jetën e 14 personave, raporton rtsh.

Share This