
Pako e Hekurudhave, Rama: Linjat që do të ndërtohen, funksionale në 2030
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se të gjitha linjat hekurudhore që pritet të ndërtohen në vend do të jenë funksionale për qytetarët në fillim të 2030.
Në rubrikën “Sy m’Sy”, Rama tha se “pako e hekurudhave” është një program tërësor i transportit që ka ardhur koha për t’u realizuar në vend.
Rama njoftoi se puna po përparon në segmentet kryesore si Tiranë-Rinas-Durrës, ku punimet janë në fazën e fundit, ndërsa tha se segmenti hekurudhor Durrës-hani i Hotit do të nis brenda 2025.
“Programi i hekurudhave është një pako e re dhe tërësore që i ka ardhur koha dhe është hapur me Tiranë-Rinas-Durrës ku puna po shkon drejt përfundimit. Vonesat e fillimit të punimeve kanë qenë të lidhura me pozicionin ende të dobët të Shqipërisë deri pra disa vitesh kur ende nuk na merrnin shumë seriozisht as BE as bankat e saj zhvillimore që janë burimi i financimit të pakos së hekurudhave përmes Fondit Europian të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Sot është një histori tjetër dhe jemi në procese të avancuar me hekurudhat Durrës-Hani i Hotit ku nis puna brenda këtij viti, Rrogozhinë –Pogradec dhe pastaj Durrës-Rrogozhinë, hekurudha e Korridorit 8, Durrës-Fier apo Fier-Vlorë”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, të gjitha këto projekte do të jenë në proces ndërtimi dhe, në fillimin e dekadës tjetër, Shqipëria do të ketë një rrjet hekurudhor funksional që do të lehtësojë transportin dhe do të mundësojë shfrytëzimin e trenave për qytetarët.
“Të gjitha nisin me radhë njëra pas tjetrës pro jo më vonë se 2030. Të tëra janë në procese ndërtimi të ndryshme. Në fillimin e dekadës tjetër të tëra do të jenë në punë ku do të keni mundësi të shfrytëzoni edhe trenin”, tha Rama, raporton rtsh.