
Kurti: Kemi dhënë dorëheqje, jemi qeveri në detyrë
Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë u shpreh se kërkesa e opozitës është insistim i pa matur për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie. Ai tha se kabineti qeveritar ka dhënë dorëheqje dhe se qeveria është në detyrë.
Kurti shtoi se Ligji për Qeverinë e bënë të qartë se një qeveri në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësit e saj deri në zgjedhjen e qeverisë së re, dhe theksoi se mbledhja e sotme dhe ushtrimi i kompetencave tjera qeveritare janë plotësisht të lejueshme madje edhe të detyrueshme sipas ligjit, citoi Kurti.
“Ne kemi funksione të kufizuara, po nuk mund të ketë asesi ndalim funksionimi. Shteti s’mund të ketë vakuum qeverisje. Qeveria s’mund të ketë ndalesë funksionimi”, ka shtuar Kurti, teksa ka marrë si shembull zgjedhjen e ish-kryeministrave Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj që kanë vazhduar për disa muaj rolin e kryeministrit në dorëheqje.
“Gjithashtu e kemi shembullin e ish-kryeministrit Hoti, i cili mbeti në detyrë deri në formimin e Qeverisë Kurti 2 në mars të vitit 2021, përkundër faktit që qeveria e tij u shpall e jashtëligjshme nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2020. Pra në historikun tonë të formimit të institucioneve, kemi shembuj nga e kaluara kur një qeveri e udhëhequr nga PDK – ndonëse me kuvend të shpërndarë -, një qeveri e udhëhequr nga AAK, ndonëse e dorëhequr, dhe një qeveri e udhëhequr nga LDK, ndonëse e shpallur si e jashtëligjshme, kanë qëndruar në detyrë deri në formimin e qeverisë së re. Por një qeveri e udhëhequr nga Lëvizja VETËVENDOSJE! ndonëse ka përmbushur mandatin e saj të rregullt katërvjeçar na u dashka të largohet nga zyrat e saj një orë e më parë?!”, tha Kryeministri në dorëheqje, raporton rtk.