BE-ja synon të ashpërsojë regjimin e vizave, rrezikohet edhe Kosova

BE-ja synon të ashpërsojë regjimin e vizave, rrezikohet edhe Kosova

Këtë vit, Bashkimi Evropian pritet të ashpërsojë mekanizmin e pezullimit të vizave, duke ia bërë më të lehtë Brukselit të heqë regjimin pa viza për qytetarët e 61 vendeve që aktualisht e gëzojnë atë – përfshirë të gjitha vendet aspirante për anëtarësim në BE në Ballkanin Perëndimor, si dhe Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën.

Propozimi për të shtuar më shumë arsye në mesin e atyre ekzistuese për pezullimin e udhëtimit pa viza ishte iniciuar nga Komisioni Evropian qysh në vitin 2023, dhe Këshilli i BE-së – i cili përfaqëson 27 vendet anëtare – e miratoi qëndrimin e tij për këtë çështje një vit më parë. Megjithatë, për shkak të zgjedhjeve parlamentare evropiane në qershor të vitit 2024 dhe ngarkesës së madhe legjislative, Parlamenti Evropian vetëm së fundi ka marrë mandatin për të negociuar, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Javën e kaluar, u mbajt dialogu i parë ndërmjet tri institucioneve mbi legjislacionin e propozuar, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjatë Presidencës polake të Këshillit të BE-së, e cila zgjat deri në fund të qershorit. Nëse gjithçka shkon mirë, ligji i ri pritet të hyjë në fuqi në fillim të vjeshtës.

Në thelb, blloku po bëhet shumë më i ashpër ndaj liberalizimit të vizave, duke reflektuar një ndryshim më të gjerë: së pari, për të luftuar çdo formë migracioni të paligjshëm në BE; dhe së dyti, për të përdorur potencialisht regjimin e vizave si mjet politik për të ushtruar presion mbi vendet e treta.

Liberalizimi i vizave – i cili në këtë rast përfshin të gjitha vendet anëtare të BE-së përveç Irlandës, si dhe vendet joanëtare Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra – ka qenë prej kohësh një nga mjetet më të rëndësishme politike të Brukselit.

Ai u lejon shtetasve nga vende të treta të vizitojnë BE-në deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh pa pasur nevojë për vizë. Kosova u përfshi në këtë listë në fillim të vitit 2024 dhe Gjeorgjia e Ukraina në vitin 2017 – lëvizje që u mirëpritën në këto vende.

Share This