
Gërvalla: Ekziston rreziku që disa deputetë të Listës Serbe ta votojnë Qeverinë Kurti
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka folur për mundësinë e një rreziku që disa deputetë të Listës Serbe ta votojnë Qeverinë e re të Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurtin.
“Ekziston rreziku që ata kur e shohin që ne i kemi numrat të japin votën dhe ky rrezik na është komunikuar tash së voni”, ka thënë ajo në një intervistë për Tëvë1.
Një gjë e tillë, sipas Gërvallës, është mirë e menduar dhe shërben për ta “diskredituar para opinionit shqiptar këtë koalicion”.
“Është një paralajmërim që mund të jetë një pjesë e tyre, mund të ketë një ndarje të Listës Serbe, që për të diskredituar para opinionit shqiptar këtë koalicion japin votën të cilën nuk ua ka kërkuar askush dhe ne duhet ta përgatisim opinionin që një gjë e tillë mund të ndodh”, ka shtuar ajo.
Kryediplomatja kosovare ka mohuar në mënyrë kategorike çdo bashkëpunim eventual me Listën Serbe.
“Ne jemi shumë të qartë se me Listën Serbe nuk ka bashkëpunim, nuk ka sot, nuk ka pasur dje dhe nuk do të ketë nesër”.