Shqipëria sonte ndaj Çekisë luan “finalen” e Evropianit
Kombëtarja shqiptare sonte në “Air Albania” i bën ‘konak’ Çekisë, në njërën ndër ndeshjet më të rëndësishme të këtij cikli kualifikues për EURO 2024.
Kuqezinjtë që kryesojnë grupin me 10 pikë, dy më shumë së çekët, synojnë pikët e plota në këtë duel në mënyrë që të bëjnë hapin gjigant për kualifikim në “Gjermania 2024”.
Stadiumi “Air Albania” si asnjëherë më parë do të jetë i stërmbushur, pasi që janë shitur të gjithë biletat dhe se djemtë e Kombëtares pritet të kenë përkrahje të fuqishme në duel me çekët e ‘ftohtë’.
Atmosfera në taborin e Shqipërisë është jashtëzakonisht e mirë dhe së të gjitha lojtarët janë gati të bëjnë më të mirë në duel me Çekinë.
Trajneri brazilian Sylvinho në konferencën e fundit për medie, është shprehur optimist se të besuarit e tij, do ta fitojnë ndeshjen ndaj Çekisë. Strategu brazilian konfirmoi se sulmuesi Armando Broja nuk do të jetë gati për ndeshjen me çekët.
“Kemi përpara tri finale. Kjo do të jetë e para dhe nuk do të jetë aspak e lehtë, por ne jemi gati për t’u përballur. Është një ndeshje shumë e vështirë, por nuk është ndeshja që do të vendosë për kualifikimin”, ka thënë Sylvinho.
Ndërkohë, pikët e plota në “Air Albania” do t’i kërkojë edhe Çekia. Trajneri i çekëve, Jaroslav Silhavy u shpreh se skuadra e tij vjen e plotë dhe pa asnjë mungesë në sfidën ndaj Shqipërisë.
“Ne jemi shumë të motivuar për të bërë mirë. Ne kemi ardhur këtu për një rezultat pozitiv dhe skema me të cilën do të luajmë do të vendoset në fund, por do të jetë një skemë që ne mendojmë që do të na sjell rezultat”, tha tekniku çek.
Ndeshja Shqipëri-Çeki fillon në orën 20:45.