
Trump zgjat sanksionet e administratës Biden kundër Rusisë
Presidenti amerikan Donald Trump ka zgjatur sanksionet e vendosura nga administrata e Joe Biden kundër Rusisë të ndërmarra që në vitin 2021.
Urdhrat ekzekutivë të Bidenit ndaj Rusisë u vendosën në vitin 2021 ku u shpall një gjendje e jashtëzakonshme, e ndjekur nga disa urdhra të tjerë ekzekutivë që zgjeronin sanksionet kundër Rusisë.
“Aktivitetet e huaja të specifikuara të dëmshme të Qeverisë së Federatës Ruse… vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare, politikën e jashtme dhe ekonominë e Shteteve të Bashkuara. Për këtë arsye, urgjenca kombëtare… duhet të vazhdojë në fuqi përtej 15 prillit 2025”, thuhet në njoftim.
Dokumenti përmend se Rusia vazhdon të përbëjë një kërcënim për zgjedhjet e lira dhe institucionet demokratike në Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.
Në të përmendet gjithashtu edhe pjesëmarrja e Rusisë në sulmet kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara, promovimin dhe përdorimin e korrupsionit transnacional për të ndikuar qeveritë e huaja, aktivitetet kundër disidentëve ose gazetarëve, minimin e sigurisë në vende dhe rajone kritike për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe shkelje të parimeve të përcaktuara të së drejtës ndërkombëtare, si respektimi i integritetit territorial të shtetit.
Më 15 prill 2021, Biden shpalli gjendjen e jashtëzakonshme sipas Urdhrit Ekzekutiv 14024 për të trajtuar kërcënimin e paraqitur nga aktivitetet dashakeqe të qeverisë ruse.
Më 8 mars 2022, Biden lëshoi Urdhrin Ekzekutiv 14066, i cili zgjeroi shtrirjen e gjendjes së jashtëzakonshme, e ndjekur nga disa urdhra të tjerë ekzekutivë që zgjeronin sanksionet kundër Rusisë. /rtsh/