Ballkani tregon forcën në Klinë, Ferizaj merr tri pikë në Drenas

Ballkani tregon forcën në Klinë, Ferizaj merr tri pikë në Drenas

Kampioni në fuqi, Ballkani, ka dhënë një tjetër sinjal të fuqishëm për formën e tij drejt fundit të sezonit, duke shënuar fitore me rezultat të thellë 5:0 ndaj Dukagjinit në ndeshjen e zhvilluar të premten në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.

Sunday Adetunji ishte protagonist që në minutat e para, duke realizuar dy herë (4’, 32’), ndërsa në pjesën e dytë skenën e mori Bleart Tolaj, i cili po ashtu shënoi dy gola (49’, 64’). Për të përmbyllur paraqitjen perfekte të suharekasve u përkujdes, Bernard Karrica, i cili realizoi golin e pestë në minutën e fundit të ndeshjes.

Me këtë fitore, Ballkani shkon në kuotën e 50 pikëve dhe mban vendin e dytë në tabelë, dhjetë më pak se Drita lidere, e cila ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Dukagjini, në anën tjetër, mbetet në pozitë të vështirë në garën për mbijetesë. Me 35 pikë pas 28 ndeshjeve, ndan pozitën me Prishtinën që ka një ndeshje më pak.

Në ndeshjen tjetër të ditës së sotme, Ferizaj ka arkëtuar tre pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë, duke mposhtur Feronikelin 74, me rezultat minimal 1:0 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Golin vendimtar për skuadrën ferizajase e realizoi Abdeen Abdul në minutën e 48-të, vetëm pak çaste pas rifillimit të pjesës së dytë, me një gjuajtje nga brendësia e zonës.

Me këtë triumf, Ferizaj barazohet në kuotën e 38 pikëve me Gjilanin, që mban vendin e katërt me një ndeshje më pak.

Share This