“Mjaftuan dy telefonata! Isha afër Bayernit, më pas u shfaq Reali… “
Kepa Arrizabalaga ishte shumë afër transferimit te Bayern Munchen, por Real Madrid humbi Thibaut Courtois për shkak dëmtimi dhe u hodh në sulm për portierin bask. Duke arritur t’ia rrembente kampionëve të Gjermanisë.
Rreth tratativave të verës foli vetë Kepa, i cili po bën shumë mirë te “Los Blancos”, të cilët e kanë “harruar” mungesën e belgut Courtois.
29-vjeçari është huazuar për një sezon nga Chelsea te Reali, ndërkohë që për AS iu rikthye edhe njëherë asaj që ndodhi gjatë merkatos verore.
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt, operacioni i huazimit te Reali u mbyll brenda pak orësh. Mjaftuan dy telefonata. Kisha kaluar pesë sezone në një klub të madh si Chelsea, mendoja se ndryshimi do të ishte pozitiv për mua. Është e vërtetë që isha afër Bayernit, por Reali më thirri dhe nuk u mendova dy herë… Kur të fton Reali nuk kanë më rëndësi mundësitë e tjera.
Objektivi? Do të përpiqem të kontribuoj që historia e Realit të bëhet edhe më e madhe. Dua të shijoj çdo minutë dhe çdo ndeshje në maksimum”, theksoi “gardiani”.