
Bellingham: Jemi me fat që kemi pranuar vetëm tre gola
Lojtarët e Arsenalit zhvilluan një ndeshje perfekte kundër Real Madridit, duke fituar 3-0 dhe duke fituar një avantazh thuajse të paarritshëm përpara ndeshjes së dytë çerekfinale në Madrid.
Pas një pjese të parë pa gola, djemtë e Mikel Artetës shënuan tre gola në pjesën e dytë, ku dallohej Declan Rice, i cili shënoi dy gola nga gjuajtjet e lira, teksa rezultati përfundimtar u vendos nga Mikel Merino.
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka komentuar shanset për një rikthim në ndeshjen e kthimit në një intervistë të shkurtër për Movistar.
“Kemi bërë shumë rikthime dhe tani duhet ta bëjmë përsëri. Është e komplikuar, por duhet të provojmë nga minuta e parë deri në minutën e fundit. Për një orë skuadra ishte e mirë dhe më pas paguam shtrenjtë dy golat nga gjuajtjet e lira. Në aspektin mental nuk ishim mirë në fund të lojës”, tha ai, duke shtuar: “Kjo është një humbje mjaft e vështirë. Ata shënuan golin e dytë me intensitet”.
Pas takimit, Jude Bellingham ra në sy me komentet e tij kritike. Mesfushori anglez pranoi se Arsenali ishte skuadër më e mirë dhe tha se Reali mund të ishte i lumtur që kishte pranuar vetëm tre gola: “Ne ishim me fat që pësuam vetëm tre. Megjithatë, nëse ndonjë ekip mund të kthehet nga kjo, ai është Reali. Tani na duhet një natë e përsosur, magjike në Madrid”, tha Bellingham.