
Dinamo e Zagrebit e shkarkon Fabio Cannavaron
Trajneri i njohur italian dhe ish-fituesi i Topit të Artë, Fabio Cannavaro, nuk është më në krye të Dinamo Zagrebit.
Klubi kroat ka vendosur ta shkarkojë atë pas vetëm tre muaj e gjysmë në detyrë, duke u bërë kështu trajneri i tretë që largohet nga Dinamo këtë sezon.
Sezoni filloi me Sergej Jakiroviq në pankinë, por ai u zëvendësua në shtator nga Nenad Bjelica. Cannavaro mori drejtimin më 29 dhjetor 2024, duke nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2026.
Ai kishte një pagë vjetore prej 1.5 milionë euro, ndërsa stafi i tij përfitonte edhe 500 mijë euro shtesë në vit.
Shkarkimi i Cannavaros erdhi pas humbjes së rëndë 3:0 ndaj Istrës në xhiron e 28-të të kampionatit kroat, rezultat që e la Dinamon tetë pikë prapa liderit Hajduk Split dhe shtatë pikë pas Rijekës, ndërkohë që kanë mbetur vetëm tetë javë deri në fund.
Në 14 ndeshje nën drejtimin e Cannavaros, Dinamo regjistroi 7 fitore dhe 5 humbje – bilanc që nuk përmbushi pritshmëritë e klubit.
Dështimi për të fituar titullin do të thotë që Dinamo nuk do të luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm – një goditje e madhe financiare për klubin.
Aktualisht, buxheti zyrtar i Dinamos për këtë sezon është 67 milionë euro, ndërsa 24 milionë euro të ardhura ishin planifikuar nga pjesëmarrja në garat e UEFA-s. Pa Ligën e Kampionëve, kjo shumë do të ulet ndjeshëm.
Ende nuk është bërë e ditur se kush do ta drejtojë skuadrën në ndeshjen e ardhshme ndaj Osijekut, në xhiron e 29-të, që zhvillohet këtë të shtunë.