
Abdixhiku: Ta mbrojmë Kushtetutën nga shkeljet dhe përdhosja
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar qytetarët me rastin e 17-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e këtij dokumenti si themel i shtetit të pavarur dhe demokratik.
Në mesazhin e tij, Abdixhiku u shpreh se Kushtetuta përfaqëson aspiratat historike të popullit të Kosovës për liri, barazi dhe drejtësi, ndërsa vlerësoi se ajo është më shumë sesa një akt juridik – është një udhërrëfyes drejt shtetndërtimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
“Sot, në Ditën e Kushtetutës, ne nderojmë themelet e shtetit tonë të pavarur dhe demokratik – dokumentin që mishëron aspiratat historike të qytetarëve tanë për liri, barazi dhe drejtësi. Është zotimi ynë kolektiv për një të ardhme më të mirë, për një shtet të drejtë e të barabartë për të gjithë. Në këtë përvjetor, ne kujtojmë me respekt të thellë sakrificën dhe vendosmërinë e popullit tonë që i hapi rrugë krijimit të këtij dokumenti historik”, theksoi ai, raporton rtk.
Megjithatë, Abdixhiku shprehu shqetësimin për shkeljet e përsëritura të Kushtetutës dhe sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilat, sipas tij, përbëjnë kërcënim serioz për rendin demokratik dhe besimin e qytetarëve në drejtësi.
“Kjo nuk është thjesht çështje ligjore – është plagë për demokracinë tonë ligjore – është plagë për demokracinë tonë dhe për besimin e qytetarëve në drejtësi. Nuk mund dhe nuk duhet ta lejojmë më këtë”, tha ai, duke shtuar se mbrojtja e Kushtetutës është përgjegjësi e përbashkët për të gjithë ata që besojnë në një Kosovë të drejtë dhe të barabartë.
Në përfundim të mesazhit, Abdixhiku bëri thirrje që kjo ditë të shërbejë jo vetëm për përkujtim, por edhe si një thirrje për veprim e reflektim.
“Të mos lejojmë më që vlerat tona themelore të asgjësohen. Të mos lejojmë më që të përdhoset ajo për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë”, nënvizoi Abdixhiku.