
Tahiri: Dy qeveritë e Kurtit kanë shkelur Kushtetutën 11 herë
Abelard Tahiri nga PDK-ja ka theksuar rëndësinë historike të 17-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Kosovës, duke e cilësuar atë si themelin juridik dhe politik të shtetit.
“Sot shënojmë një nga momentet më të rëndësishme në historinë shtetformuese të vendit tonë – 17-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kushtetuta është themeli juridik dhe politik i shtetit tonë. Respektimi i saj është i domosdoshëm për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të drejtë dhe të qëndrueshme. Fatkeqësisht, kjo ditë e rëndësishme po shënohet në një realitet të hidhur: Gjatë pesë viteve të fundit, dy qeveritë e udhëhequra nga Albin Kurti kanë bërë 11 shkelje kushtetuese: 2 në mandatin e parë, 9 në mandatin e dytë. Të gjitha këto janë konstatuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe përbëjnë një precedent të rrezikshëm, që cenon rendin kushtetues të ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë”, ka shkruar në “Facebook” Tahiri.
Ai ka thënë se për të mbrojtur parimet dhe rendin kushtetues, Grupi Parlamentar i PDK-së ka dorëzuar 28 lëndë në Gjykatën Kushtetuese gjatë këtyre pesë viteve.
“Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet: 1️. Ruajtja e integritetit të shtetit; 2️. Parandalimi i kapjes së institucioneve të pavarura; 3️. Mbrojtja e rendis demokratik”, ka shkruar ai.
Tahiri ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të Kushtetutës dhe rendit kushtetues, gjithmonë në interes të qytetarëve dhe të së ardhmes evropiane të vendit.