
SHBA – Hyjnë në fuqi tarifat e vendosura nga Trump për importet
Tarifat shtesë amerikane për importet të njoftuara nga presidenti Donald Trump, javën e kaluar janë caktuar të hyjnë në fuqi sot në mesnatë.
Pasi raundi i parë i taksave universale prej 10% ndaj importeve, nga pothuajse të gjithë partnerët tregtarë hyri në fuqi të shtunën, tarifa më të larta bazuar në deficitet tregtare do të hyjnë në fuqi sot në mesnatë.
Qeveria amerikane llogariti tarifat për secilin vend – bazuar në faktorë duke përfshirë deficitin tregtar, subvencionet dhe manipulimin e monedhës.
Importet nga Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shembull, do të përballen me tarifa të reja prej 20%.
Me politikën e tij tarifore, Trump kërkon të forcojë prodhimin vendas dhe në të njëjtën kohë të bindë partnerët e huaj tregtarë që të bëjnë lëshime.
Nisma e tij shkaktoi turbulenca masive në tregjet e aksioneve.
Disa vende kanë njoftuar kundërmasa. Një luftë tregtare globale mund ta zhysë ekonominë botërore në një krizë të thellë. /atsh/