
Konjufca pas takimit me opozitën: S’ka qeveri pa koalicion
Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar sot një takim të rëndësishëm me nënkryetarët e partive opozitare, për të diskutuar rreth organizimit të seancës konstituive që do të mbahet më 15 prill.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), si dhe përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë. Ajo që ra në sy ishte mungesa e Listës Serbe, e cila nuk mori pjesë në këtë mbledhje.
Pas përfundimit të takimit, Konjufca dha një deklaratë të shkurtër, por tejet të qartë: “Nuk do të ketë Qeveri pa koalicion”, raporton Indeksonline.
Kjo deklaratë forcon bindjen se vendi është përballë një situate të ndërlikuar politike, ku asnjë subjekt nuk mund të formojë vetë qeverinë, ndërsa bisedimet për koalicione pritet të jenë të vështira dhe të zgjatura.