
“Darkën e Kurtit me Limajn” që u raportua s’e konfirmojnë as Vetëvendosje e as NISMA
As konfirmim e as mohim nga Vetëvendosje dhe NISMA për darkën e Kurtit me Limajn, për të cilën u raportua.
Me partitë opozitare të cilat në çdo rast kanë konfirmuar se nuk do të bëjnë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, ndoshta do t’i duhet ta kërkojë ndihmën e Nismës së Fatmir Limajt në përpjekjen për të qëndruar më tej në pushtet.
Pozicioni i partisë më të vogël parlamentare shqiptare mbetet më i paqartë se pozicionet e partive të tjera opozitare.
Kurti dhe Limaj u raportua se kanë darkuar të premtën, për të diskutuar mundësinë e një koalicioni qeverisës.
Nga LVV-ja dhe nga NISMA nuk i janë përgjigjur interesimit të Gazetës Express për këtë, duke mos e konfirmuar takimin.
Në mesjavë Kurti nisi publikisht përpjekjet për formimin e qeverisë së re. Në zyrën e tij në qeveri, ai i nisi diskutimet fillimisht me përfaqësues të partive politike të pakicave. Jo nga të gjithë mori konfimimin se do ta votonin një përbërje të qeverisë të cilën lideri i LVV-së mund ta prezantojë në Kuvend.
Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 15 prill, siç ka vendosur presidentja Vjosa Osmani. Po atë ditë, LVV synon ta zgjedhë edhe qeverinë, siç ka deklaruar Kurti.
NISMA ka paralajmëruar në fillim të kësaj jave se “nuk voton asnjë qeveri për të cilën nuk ka marrë pjesën e saj të përgjegjësisë”.
Duke kërkuar formimin e qeverisë “sa më parë që të jetë e mundur”, presidentja konsideron se deri më 15 prill “ka kohë të mjaftueshme për partitë politike që t’i kryejnë diskutimet e nevojshme”.
LVV-ja ka marrë 42.30% të votave dhe do t’i ketë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, të certifikuara të enjten e javës së kaluar – që nënkupton se asaj do t’i nevojitet një partner nga ana e opozitarëve për të qëndruar më tej në pushtet. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave (24 deputetë), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% (20 deputetë). Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën dhe të tjerët ka marrë 7.06% të votave (8 deputetë – 5 AAK, 3 Nisma). Së bashku, opozitarët kanë më shumë mandate (52) sesa partia e parë.
Me partitë më të mëdha të cilat e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me LVV-në, partia e Kurtit, përtej partnerëve të vegjël brenda, duket se nuk sheh mundësi tjetër përveç Nismës së kthyer në Kuvend.